Pak ditë përpara fillimit të ndeshjeve ndërkombëtare për ekipet tona, në Rrugën e Dibrës diku pranë Vilës Goldi takoj një person që punon në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF). Përshëndetem me të dhe e pyes se ku po shkonte. “Tek presidenti i Tiranës, – më tha, – t’i bëj gati dokumentacionin për Championsin”. Kjo është një copëz e vogël historie, por që flet shumë sesi bëhen punët në klubet tona të futbollit që shpesh nuk kanë zyrtarë as për dokumentat për në UEFA.
Pas dështimit të Tiranës dhe Partizanit në raundin e parë, m’u kujtua jo vetëm kjo histori, por edhe ajo tjetra që përsëritet thuajse çdo vit. Ekipet shqiptare kryejnë “tranfuzion” lojtarësh me ikje dhe ardhje që të lodhin vetëm duke i numëruar. Është faji i ligjit të sponsorizimit, faji i atyre që drejtojnë, apo që të dyja bashkë? Në fund të fundit, rezultati është që skuadrat tona më të mira shkojnë në Europë nga halli sipas parimit “olimpik”, “rëndësi ka të marrësh pjesë, jo që të fitosh”. Le të fitojnë të tjerët. Me këto ritme, Luksemburgu ka sot një ekip si Dudelanzhi që ka 60 ndeshje në Europë në 11 vitet e fundit, ndërsa Tirana vetëm 11! Me “legjendën e Rozafës” dhe me “Pëlhurën e Penelopës”, pra “ndërto-shkatërro”, në kontinent “duhet të puthesh me Milon”!
Sfidanti.al