Ndeshjet play off mes Kroacisë dhe Greqisë – futboll pa tifozë!

Tifozëve grekë dhe kroatë u është ndaluar që të shkojnë në Zagreb, pra, edhe në Athinë, në kuadrin e duelit të ndërsjellë mes përfaqësueseve të Kroacisë dhe të Greqisë që do të përcaktojë se cili nga këta dy ekipe do të marrë pjesë në Kupën e Botës Rusi 2018. Agjencia kroate e lajmeve, HINA, bën të ditur se federatat e futbollit të Kroacisë dhe të Greqisë kanë bërë një marrëveshje në një takim të fundit në Athinë, ku morën pjesë edhe përfaqësues të lartë të UEFA-s dhe të FIFA-s.

Ndeshjet në “Maksimir”, më 9 nëntor, dhe tri ditë më vonë në “Karaiskaqis”, u cilësuan si ndeshje me rrezikshmëri të lartë, kështu që për arsye sigurie u vendos se do të jetë më mirë, nëse tifozët e të dy ekipeve nuk do të shkojnë në vendet e njëri-tjetrit që të bëjnë tifozllëk për ekipet e tyre në stadimet e lartpërmendur. Para dy muajsh, i njëjti vendim u mor edhe në rastin e dy ndeshjeve Rieka – Olimpiakos, pikërisht që të shmangeshin trazirat eventuale. Edhe para dy vitesh, Dinamo e Zagrebit dhe Olimpiakosi grek i luajtën të dyja ndeshjet pa tifozë.

Më parë, në dy raste, ka pasur incidente të rëndë, pikërisht, në “Karaiskaqis” në ndeshjen mes përfaqësueseve të Greqisë dhe Kroacisë, më 2011, kur tifozët e Olimpiakosit, bashke më “vëllamët” e tyre të Crvena Zvezdës, sulmuan me gurë, pishtarë dhe kokteile Molotov tifozët kroatë, duke shkaktuar edhe ndërprerjen e ndeshjes. Edhe katër vite më vonë, tifozët grekë u zunë pritë dhe sulmuan tifozët e Dinamos së Zagrebit në aeroportin e Athinës.

Sfidanti.al