Napoli eleminohet nga Championsi, i kritikuari Liverpul pranë rekordit

Viktima e dytë e madhe e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve u bë Napoli. Pas Atletikos së Madridit, ja edhe skuadra e shkëlqyer e Serisë A që nuk ia doli, duke hyrë në një minikrizë. Pavarësisht lavdërimeve të mëdha për lojën e shkëlqyer të napolitanëve dhe të trajnerit Sarri, kjo nuk ishte e mjaftueshme që të kalonte “klasën” e parë në Ligën e Kampionëve.

Humbi 1-2 në Holandë me Fejënordin, kur i duhej fitorja, dhe natyrisht i duhej fitorja e Mançester Sitit në Ukrainë ndaj Shahtarit. Ndodhi e kundërta dhe ukrainasit fituan 2-1 duke marrë një kualifikim të merituar. Pep Guardiola vërtet premtoi të luante ndershmërisht, por ai kurseu forcat për derbin e Mançesterit në Premier Ligë këtë fundjavë. Në fushë pati lojtarë të rinj sidomos në mbrojtje si Foden, Mangala, Adarabiolo, por edhe nga ata që kanë luajtur më pak si Jaja Ture e Ilkai Gyndogan. Kjo ndihmoi Shahtarin, ndërsa Siti nuk e rrezikoi aspak vendin e parë.

Një rezultat përrallor arriti Liverpuli duke mundur thellë Spartakun e Moskës. Shifrat 7-0 nuk arrihen lehtë dhe zakonisht ndaj skuadrave ruse, por ekipi i Klopit e bëri. Edhe pse është kritikuar shumë për dobësinë në mbrojtje gjatë këtij sezoni, sërish Liverpuli jo vetëm zuri vendin e parë në grup me 3 fitore e 3 barazime (12 pikë), por edhe iu afrua rekordit të golave në fazën e grupeve që e mban PSG, duke shënuar 23 të tillë. Kualifikim nga ky grup edhe për Seviljen që barazoi 1-1 në Slloveni me Mariborin.

Kristiano Ronaldo e shënoi edhe një tjetër gol në Champions, duke shtuar më tej rekordin e tij dhe Reali fitoi 3-2 ndaj Dortmundit në “Bernabeu”. Fitore e vështirë, pasi rrjetave të Borga Majoralit e Ronaldos, iu përgjigj dy herë Obamejang, përpara sesa Lukas Vaskez t’u jepte fitoren madrilenëve në 81’. Vendin e parë në grup, sidoqoftë e zuri Totenhemi që fitoi 3-0 ndaj APOEL-it me gola të Jorentes, koreanojugorit Son dhe N’Kudus.

Beshiktashi e Porto u kualifikuan në grupin G. Turqit fituan 2-1 në fushën e Lajpcigut gjerman pa përvojë, ndërsa portugezët thyen 5-2 në Portugali, gjysmëfinalisten e vjetshme, Monakon.

Grupi E: Liverpul-Spartak 7-0, Maribor-Sevilja 1-1. Renditja: Liverpul 12, Sevilja 9, Spartak 6, Maribor 3.

Grupi F: Shahtar-Man. Siti 2-1, Fejënord-Napoli 2-1. Renditja: Man. Siti 15, Shahtar 12, Napoli 6, Fejënord 3.

Grupi G: Porto-Monako 5-2, Lajpcig-Beshiktash 1-2. Renditja: Beshiktash 14, Porto 10, Lajpcig 7, Monako 2.

Grupi H: Totenhem-APOEL 3-0, Real-Dortmund 3-2. Renditja: Totenhem 16, Reali 13, Dortmund 2, APOEL 2.

Sfidanti.al