Milani fiton me “poker” ndaj Torinos, Roma “ngec” në Verona

Milani i Piolit vijon ecurinë pozitive në kampionat, duke siguruar suksesin e dytë radhazi, teksa mposhti me rezultatin 4-1 Torinon, në një duel që foli për kuqezinjtë.

Fillimisht ishte Pulisiç që hapi serinë e golave në minutën e 33-të, ndërkohë që 3 minuta më vonë, Shurs vendosi baraspeshën për miqtë, por vetëm kaq, pasi në fundin e pjesës së parë, Milani arriti të shënonte edhe 2 herë të tjera. Zhiru në minutën e 43-të shndërroi në gol një 11-metërsh, teksa Teo Hernandez në minutën 45+2, shënoi golin e tretë për skuadrën e Piolit, duke dërguar të tijët në dhomën e zhveshjes me avantazhin e dy golave. Për të vulosur këtë sukses mëse të merituar, mendoi sërish Zhiru, që në minutën e 65-të, realizoi dopietë po me penallti, duke sigluar shifrat në 4-1.

Ndërkohë në duelin tjetër, Verona shtangu Romën me rezultatin 2-1, duke u konfirmuar si “hirushja” e dy javëve të para të Serisë A, teksa numëron pikë të plota. Duda në minutën e 4 dhe Ngonge në minutën 45+3 realizuan për Veronën, ndërkohë që Aouar, shënoi golin e vetëm për Romën. Në javën e tretë të Serisë A, do të kemi një përballje mes Romës dhe Milanit, e planifikuar për t’u zhvilluar më datën 1 shtator në “Olimpico”.

 

sfidanti.al