Kush mund ta mendonte se do të përfundonte 3-0 për miqtë? Kush mund ta imagjinonte se skuadra që kishte dalë 9 herë radhazi kampione e Italisë këtë sezon do të rrezikonte Championsin, dhe do të mbetej plot 16 pikë pas Interit kryesues ndërsa duhen edhe 3 ndeshje deri në mbyllje të Serisë A. Një fitore që e ngjit Milanin në vendin e tretë me 72 pikë, po aq sa Atalanta e vendit të dytë, ndërsa Juventusin e lë jashtë zonës Champions pasi ka 69 pikë ndaj 70 të Napolit që mban vendin e katërt. Kjo ishte edhe fitorja e parë e Milanit në stadiumin e ri “Alianc”!
Trajneri Andrea Pirlo mori një tjetër goditje të madhe dhe vështirë të jetë sezonin e ardhshëm në stol, për vetë gjendjen në të cilën është katandisur skuadra. Kristiano Ronaldo po ashtu ishte anonim, të paktën sepse nuk shënoi dhe kontributi i portugezit është vlerësuar sidomos për golat. Golat për kuqezinjtë u shënuan nga Brahim Diaz në fund të pjesës së parë, dhe nga Ante Rebiç e Fikajo Tomori në 78’ e 82’. Milani i trajnerit Pioli pati më shumë dëshirë për të fituar, më shumë agresivitet dhe u duk më mirë fizikisht, duke i lejuar vetes të humbiste një penallti me Kesin. Diferenca mes dy ekipeve është 3 pikë, por duke qenë që Milani ka epërsi në ndeshjet direkte, mund të thuhet se diferenca është 4 pikë.
Juventus (4-4-2): Shezni, Kuadrado, De Ligt, Kielini, Aleks Sandro, Mekkeni, Betankur, Rabio, Kieza, Morata, Ronaldo. Tr. Pirlo
Milan (4-2-3-1): Donaruma, Kalabria, Kjer, Tomori, Teo Hernandez, Benaser, Kesi, Zelemekers, Diaz, Çalhanoglu, Ibrahimoviç. Tr. Pioli
Sfidanti.al