Me këtë barazim duket sikur hodhi tej të gjitha shanset për të fituar titullin. Reali i Madridit u ndal në një 2-2 me Seviljen në “Alfredo Di Stefano”, dhe mbeti 2 pikë prapa Atletikos kur ka edhe 3 ndeshje deri në fund të kampionatit, veçse polemikat për gjykimin do të vazhdojnë disa kohë. Në minutën e 74-ët, ndërsa sfida ishte 1-1, arbitri dha penallti për Realin për një rrëzim të Benzemasë në zonë, në dyluftim me portierin seviljan. U desh ndërhyrja e VAR-it dhe u duk se arbitri pa dy raste për 11-metërsh. Në minutën e 77-të vendimi ishte që Realit i hiqej penalltia, ndërsa kjo i akordohej Seviljes për prekje të topit me dorë nga Militao. Ivan Rakitiç, një ish-lojtar i Barcelonës, realizoi saktë dhe u desh goli në fund (90’+5) për të marrë të paktën pikën. Fernando kaloi Seviljen në epërsi dhe Marko Asensio barazoi me prekjen e parë të topit. Interesant, rasti i golit të barazimit të Realit në minutën e 5-të shtesë, pasi faqet sportive ia dhanë Eden Hazarit, gazetat madrilene ia dhanë Toni Krosit, ndërsa “El Mundo Deportivo” e Barcelonës e quajti autogol të Diego Karlosit. Pas 35 ndeshjeve, Atletiko ka 77 pikë, Reali e Barcelona nga 75 dhe Sevilja 71. Ja edhe kalendari i mbetur i rivalëve për titull:
Atletiko Madrid
Sociedad (b), Osasuna (b), Vajadolid (j)
Real Madrid
Granada (j), Bilbao (j), Vijarreal (b)
Barcelona
Levante (j), Selta (b), Eibar (j)
Sevilja
Valencia (b), Vijarreal (j), Alavesh (b)
Sfidanti.al