Keidi Bare si Armando Sadiku, ngjitet në La Liga, por shpreson të mbijetojë gjatë!

Ndeshja mbaroi dhe erdhi koha e harbimit. Kanë plotësisht të drejtë futbollistët e Espanjolit, mes tyre edhe shqiptari Keidi Bare, sepse skuadra bardhekaltër sapo siguroi ngjitjen për në La Ligën e Spanjës. Një sezon në purgator për ekipin barcelonist përfundoi me sukses, dhe edicionin tjetër Bare me shokë do të luajnë kundër Realit të Benzemasë, Barcelonës së Mesit dhe Atletikos së Suarezit. Suksesi i merituar u arrit pas barazimit 0-0 në fushën e Saragozës.

Duhen edhe 4 javë deri në përfundim, por Espanjoli kryeson ligën e dytë me 78 pikë, 6 pikë më shumë sesa Majorka, por sidomos 12 pikë më shumë sesa Almeria e vendit të tretë, duke pasur edhe bilanc pozitiv në ndeshjet direkte. Bare u bë i dyti lojtar shqiptar që luan në La Liga pas Armando Sadikut. Sulmuesi 29-vjeçar arriti një nga kulmet e karrierës në 2018, duke qenë në majë të piramidës spanjolle të futbollit me Levanten, por duke luajtur vetëm 6 ndeshje e duke pësuar një dëmtim të frikshëm.

Bare, që u bashkua me Espanjolin verën e kaluar, shpreson që të ketë më shumë sukses. Ai ka qenë protagonist i rëndësishëm për ekipin katalanas, duke u përshtatur shpejt, ndonëse humbi 10 ndeshje për shkak dëmtimi. Gjithsesi, gjatë fazës së dytë të sezonit, ai luajti shumicën e minutave duke qenë thuajse gjithnjë titullar.

Sfidanti.al