Mesi-Ronaldo, dueli i pafund i golit për “Këpucën e Artë”

Në 10 vjet, këta të dy e kanë fituar 8 herë, dhe shumë pak gjë kanë lënë për të tjerët. Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo u barazuan në trofetë e Këpucës së Artë, pra të titullit kampion të golshënuesit më të mirë të Europës. Argjentinasi fitoi edicionin e kaluar me 37 gola, duke pasur 4 Këpucë të Arta, po aq sa Ronaldo. Portugezi ia ka dalë në 2008, 2011, 2014 dhe 2015, ndërsa Leo në 2010, 2012, 2013 dhe 2017. Mesi ka arritur rekordin 50 gola në La Liga, Ronaldo në 48 rrjeta po në La Liga. Dy yjet më të mëdhenj të futbollit janë baraz edhe në trofeun e lojtarit më të mirë të vitit në botë, me nga 5 trofe të tillë.

Dueli i fortë mes tyre vazhdon gjatë gjithë karrierës dhe duket se do të përfundojë vetëm kur ta lënë futbollin. Ronaldo ka shënuar deri tani 539 gola në 734 ndeshje me klubet (Sporting, Man. Junajtid, Real), si dhe 79 gola për Portugalinë në 147 takime. Mesi ka 534 gola (523 pa ata të Barcelonës C dhe B) me klubet, që të gjithë me Barçën, dhe 61 gola në 123 ndeshje për Argjentinën. Duke qenë 1 vit e gjysmë më i ri, argjentinasi ka një lloj epërsie të lehtë.

Sfidanti.al