Hamshik ndjek Maradonën, bën një premtim për titullin!

Marek Hamshik është vetëm një gol larg rekordit të Diego Maradonës me Napolin, ndonëse do të duhet shumë më tepër për të mbërritur argjentinasin e madh. Kapiteni sllovak i të kaltërve ka shënuar 115 rrjeta deri tani, ndërsa shpresa e tij më e madhe nuk është rekordi i golave, por fitorja e titullit kampion.

“Duhet të fitojmë ndaj Udinezes dhe pastaj ndaj Juventusit në fushën tonë, – tha kapiteni për Radio Kiss Kiss, – duam 6 pikë në këta 180 minuta dhe nëse do të mundnim Juven, do të ishte e mrekullushme. i gjithë Napoli e meriton këtë gëzim”. Napoli e ka fituar titullin kampion vetëm dy herë, që të dyja me Maradonën në përbërje, ndërsa skuadra e Mauricio Sarrit mund të bëjë që pritja 28-vjeçare e tifozëve të marrë fund.

Napolitanët kryesojnë tabelën me 35 pikë, 2 më shumë se Interi dhe 4 më shumë sesa Juventusi kampion. Hamshik ka edhe një premtim nëse fitohet “skudeto”: “Unë kam shumë tatuazhe në trup, por e kam lënë një vend bosh për një tatuazh për titullin”.

Sfidanti.al