Mesi pranon rinovimin me Barcelonën, bën punë efekti “Laporta”!

Kur ekziston vullneti i mirë, zgjidhja arrihet. Kjo ishte e qartë edhe për Lionel Mesin që kur Zhoan Laporta u rikthye si president i Barcelonës, dhe lajmet nga Spanja janë që superylli ka rënë dakord për të rinovuar kontratën. “Kadena Ser”, së cilës i bëjnë jehonë edhe media në Europë, informon se kapiteni do të firmosë për 2 sezone, ndërsa kontrata e tanishme përfundon këtë muaj. Klubi do ta ketë të pamundur të paguajë rrogën prej 71 milionë eurosh në sezon, plus shpërblime të tjera që e ngjisnin shifrën e plotë në mbi 100 milionë euro. Gjithsesi, Mesi ka marrë si propozim një paketë financiare, që i siguron maksimumin e mundshëm financiar argjentinasit me kalimin e viteve.

Po ashtu, ai do të jetë në rol drejtuesi ose ambasadori të klubit pas përfundimit të karrierës. Mesi ka 17 vjet në “Kamp Nou”, ndërsa Barcelona është skuadra e vetme e jetës së tij, me të cilën ka fituar 34 trofe. Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë vazhdon të ketë ambicie të mëdha edhe pse do të mbushë këto ditë 34 vjeç, veçse klubi nuk iu përgjigj nivelit të tij gjatë presidencës së Bartomeut. U arrit deri aty që Mesi kërkoi të largohej, por tashmë gjendja ka ndryshuar dhe ai ka shpresë. Barcelona ka nisur përforcimet duke sjellë me parametër zero sulmuesin Kun Aguero dhe mbrojtësin Erik Garsia, që të dy nga Mançester Siti, ndërsa në të ardhmen pritet të ketë edhe afrime të tjera.

Sfidanti.al