Në moshën 22-vjeçare është dëshira e gjithkujt. Duket se fati i Kilian Mbapesë është i lidhur me Madridit, madje transferimi tek Reali mund të ndodhë këtë verë. Mediat në Itali, në Spanjë dhe në Angli, konfirmojnë se presidenti i klubit spanjoll, Florentino Perez dëshiron që t’i bëjë një dhuratë të madhe trajnerit të ri që ka zgjedhur, Karlo Ançelotit. Rikthimi i italianit në “Santiago Bernabeu” pas largimit të Zinedin Zidanit, mund të jetë momenti i duhur që Perezi të realizojë më në fund transferimin e madh të Mbapesë.
Kampioni i botës me Francën ka vetëm 1 vit kontratë të mbetur tek Paris SG, dhe deri tani ka refuzuar rinovimin. Për këtë arsye, Reali beson se negociatat do të jenë më të lehta, dhe kostoja e kartonit më e ulët. Parimisht, kartoni i 22-vjeçarit shkon të paktën 180 milionë euro, në mos edhe më shumë, por PSG mund t’i ulë pretendimet për të mos e humbur verën e ardhshme me parametër zero. Nëse Mbape shkon në Madrid, kjo lëvizje do të shkaktonte një efekt zinxhir të fortë.
Parizienët do të synonin me çdo kusht Kristiano Ronaldon, tani që Lionel Mesi pranoi të rinovojë me Barcelonën. Juventusi do të pranonte largimin e superyllit 36-vjeçar për një shumë prej 25 apo 30 milionë eurosh. Nga ana tjetër, klubi italian do të kërkonte sulmuesin Mauro Ikardi. Argjentinasi ka qenë më parë në Itali, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit tek Interit, por tek PSG nuk ka hapësirat e duhura, gjë që mund ta sigurojë tek Juventusi në Serinë A.
Sfidanti.al