Lamine Yamal kërcënon rekordin e “Fenomenit”

Lamine Yamal vazhdon të thyejë rekorde për moshën dhe tani ka përpara një tjetër sfidë historike. Ylli i Barcelonës mund t’i rrëmbejë Ronaldo Nazarios rekordin si fituesi më i ri i Topit të Artë në histori. Ronaldo e fitoi prestigjiozin individual në vitin 1997, pas një sezoni të shkëlqyer me Barcelonën dhe transferimit te Interi. Në atë kohë, braziliani ishte 21 vjeç, 3 muaj e 5 ditë. Që prej atëherë, askush nuk ka arritur ta thyejë këtë rekord, madje as Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. Yamal, megjithatë, është në një pozicion të favorshëm për të vendosur një rekord të ri. Spanjolli ka mbushur vetëm 19 vjeç pak muaj më parë dhe është ndër favoritët kryesorë për të fituar Topin e Artë. Edhe pse votimi është mbyllur tashmë, kuotat e basteve vazhdojnë ta rendisin si pretendentin kryesor.

Sipas Bwin, Yamal është favorit me koeficientin 1.46, përpara Harry Kane me 2.50 dhe Kylian Mbappé me 15.00. Ndërkohë, sulmuesi i Barcelonës po vazhdon të shkëlqejë edhe në fushë. Ai e ka nisur sezonin në formë të jashtëzakonshme me klubin katalanas dhe po bën të njëjtën gjë edhe me Spanjën. Yamal ka shënuar ndaj Anglisë, Kroacisë dhe Çekisë, duke realizuar për herë të parë në karrierën e tij në tri ndeshje radhazi me kombëtaren. Performancat e tij në Ligën e Kombeve kanë konfirmuar se bëhet fjalë për një talent që po shndërrohet në protagonist të rëndësishëm të Spanjës. Nëse arrin të fitojë Topin e Artë, Yamal do të shkruajë historinë duke u bërë lojtari më i ri që ka marrë ndonjëherë këtë çmim, duke zbritur nga froni një prej legjendave më të mëdha të futbollit, Ronaldo Nazário.