Mançester Siti u premton tifozëve: Kejnin ose Halandin për Agueron!

Nuk ka folur një njeri dosido, por vetë presidenti i klubit, Haldun Al Mubarak. Mëkëmbësi i sheikëve të Gjirit Persik ka deklaruar se Mançester Siti nuk do të tronditet aspak nga humbja në finalen e Championsit, as nuk do të ndalet, por do të vazhdojë të bëhet më i fortë. Pasi ka shpenzuar qindra e qindra milionë paundë stërlina dekadën e fundit, sheiku premton se do ta zëvendësojë në mënyrën e duhur largimin e Kun Agueros. Rekordmeni i golave i skuadrës në histori kaloi tek Barcelona në përfundim të kontratës, ndërsa nënkuptimi i Al Mubarakut është për Harri Kejnin ose Erling Halandin. Flitet për dy sulmues tepër të shtrenjtë që mund të shkojnë në 150 milionë euro, madje edhe më shumë.

“Ne humbëm një legjendë shumë të rëndësishme si Sergio Aguero, – tha presidenti i Sitit, – është e vështirë të gjesh zëvendësues për të, por jam i bindur se do ta gjejmë lojtarin e duhur. Kemi edhe repartee të tjera për të përforcuar, por jo shumë pozicione. Më shumë është çështje cilësie sesa numrash. Kam kuptuar se gjithnjë na duhet të sjellim talent në ekip që të jemi në majë, sidomos kur fitojmë trofe. Pasi fituam titullin, ne nuk do të vetëkënaqemi dhe të do ulim ritmin. Ne nuk jemi të kënaqur vetëm me Premier Ligën”.

Sfidanti.al