Presidenti Emanuel Makron e ka mbështetur hapur, dhe e takoi me kënaqësi pas fitores së Kupës së Botës në Rusi në 2018. Kombëtarja e Francës padyshim që është e dashur për tifozët siç e tregon publiku në “Stadë dë Frans”, dhe pritja e qindra mijë njerëzve në “Shamps Elize” pas triumfit në Moskë. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se atë e duan të gjithë, dhe sidomos nuk e pëlqen aspak ajo që cilësohet si partia e skajit të djathtë, “Fronti Kombëtar”. Presidentja e saj, Mari Lë Pen, i ka nisur sulmet që në 1996 kur disa lojtarë me origjinë afrikane nuk kënduan himnin në Kampionatin Europian.
“Ata janë një kombëtare artificiale e Francës”, – tha ajo, ndërsa sulmet vazhduan edhe më pas. Ndërsa afron Euro 2020, disa zyrtarë të Frontit Kombëtar kanë kritikuar Federatën, sidomos pas 18 majit kur u lajmërua kthimi në ekip i Karim Benzemasë. Senatori Stefan Ravie deklaroi se “Benzema është francez vetëm në letër” sepse as ai nuk e këndon himnin. Gjithsesi, Benzema ka zgjedhur të paguajë taksat në Francë, dhe jo në parajsat fiskale si disa yje të Realit. E mbështetur nga Makroni dhe e sulmuar nga Lë Peni, kombëtarja e “gjelave” është bërë objekt i lojës politike dhe elektorale franceze.
Sfidanti.al