Sa shumë talent tek Anglia, por sa pak përvojë në Euro 2020!

Mund të jetë skuadra më e shtrenjtë në kontinentin e vjetër, dhe mund të ketë vlerë prej 1.4 miliardë eurosh, udhëhequr nga kapiteni Harri Kejn me një vlerë kartoni ndoshta 170 milionë euro. Anglia ka padyshim talent me shumicë dhe trajneri Garet Sauthgejt është i lumtur me futbollistët që ka në dispozicion, por mosha e mjaft futbollistëve është e re, ndërsa përvoja në kombëtare e vogël. Mesatarisht, lojtarët e Anglisë kanë nga 28 ndeshje secili me kombëtaren, shumë pak në krahasim me Francën apo Belgjikën, por gjithsesi mund të ndihen më të qetë sepse edhe Spanjë, Italia apo Gjermania po kryejnë një “transfuzion”.

Mançester Junajtidi ka 4 lojtarë, po aq sa Mançester Siti, Çelsi kampion i ri i Europës ka vetëm 3, ndërsa Liverpuli 2. Shumë futbollistë janë nga skuadra le t’i quajmë mesatare të Premier Ligës si Evertoni, Aston Vila, Uolvesi, Lidsi, Uest Hemi, kurse dy lojtarë vijnë nga Dortmundi në Bundesligë, Belingami dhe Sanço.

Skuadra e Anglisë

Portierë: Henderson (Man. Junajtid), Xhordan Pikford (Everton), Sam Xhonston (Uest Brom).

Mbrojtës: Ben Çiluell (Çelsi), Ljuk Shou (Man. Junajtid), Harri Megajer (Man. Junajtid), Tajron Mings (Aston Vila), Xhon Stouns (Man.Siti), Risi Xhejms (Çelsi), Kajl Uolker (Man. Siti), Trent Aleksandër-Arnold (Liverpul), Kieran Tripier (Atletiko Madrid), Konor Koudi (Uolves).

Mesfushorë: Xhud Belingam (Dortmund), Xhordan Henderson (Liverpul), Mejzën Maunt (Çelsi), Kalvin Filips (Lids), Deklan Rajs (Uest Hem).

Sulmues: Dominik Kalvert-Ljuin (Everton), Fil Foden (Man. Siti), Xhek Grelish (Aston Vila), Harri Kejn (Totenhem), Markus Rashford (Man. Junajtid), Bukajo Saka (Arsenal), Xhejdën Sanço (Dortmund), Rahim Stërling (Man. Siti).

Sfidanti.al