Skuadra më e mirë e e Konferencës së Lindjes në NBA ka një problem dhe shpreson që ky problem të mos jetë afatgjatë. Ylli kryesor i saj, dhe një nga 3 më të mirët e sezonit, Zhoel Embijd, pësoi dëmtim në ndeshjen e katërt të raundit të parë të plej ofit duke ndikuar direkt në rezultat. Filadelfia kryesonte 3-0 ndaj Uashingtonit, por pasi gjigandi afrikan doli nga loja në minutën e 12-të, gjithçka ndryshoi dhe vendasit shkurtuan diferencën në 1-3 me fitoren 122-114. Embijd shënoi 8 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 2 asistë në vetëm 11 minuta e gjysmë, por Filadelfia nuk ishte e njëjta pa të.
Kapiteni është në dyshim edhe për ndeshjen e pestë dhe kjo mund të ndikojë sërish në rezultat, ndërsa Grin, Harris, Kërri apo Sajmëns nuk janë aq të fortë pa mbështetjen e Embijdit. Uashingtoni, pavarësisht gabimeve dhe mungesës së forcës nën tabela, mund të mbështetet tek yjet Bredli Bil dhe Rasëll Uestbruk. Ky i fundit pati tripëll dabëll në ndeshjen e katërt, edhe pse gaboi tepër shumë në gjuajtje (realizoi 3 nga 19). Shënoi vetëm 19 pikë (falë gjuajtjeve të lira), por kapi 21 topa në tabela e shërbeu 14 asistë për shokët, si dhe vodhi dy topa. Bredli Bil shënoi 27 pikë, ndërsa japonezi Haçimura pati 20 pikë e 13 topa në tabela. Uashingtoni do të jetë i rrezikshëm, nëse Embijd nuk ia del të luajë.
Sfidanti.al