Vitin që vjen Bundesliga s’duhet të vlejë 800 milionë euro më shumë se Bundesliga 2!

E përditshmja “Bild” raporton se në total për sezonin e ardhshëm, 36 klubet profesioniste në Gjermani do të kenë të ardhura totale nga e drejta televizive prej 1 miliardë e 73 milionë euro (1.073 miliardë). Nga këto vetëm 250 milionë i jepen Bundesligës së dytë, ndërsa 800 milionë euro shkojnë për Bundesligën e vërtetë, atë të parën. Tabloidi bën pyetjen nëse kjo “humnerë” mes dy ligave është e justifikuar. Pasi pranon se përgjigja parimisht është “po”, shton “klauzolën” se “këtë sezon, me shumë mundësi, jo”.

Bundesliga e dytë do të ketë ekipe të shkëlqyer në 2021-2022, dhe asnjëherë nuk ka pasur më shumë. Nga 18 ekipet, 13 kanë luajtur në Bundesligë dhe së bashku kanë fituar 43 tituj kampion dhe 32 kupa të Gjermanisë. Jo vetëm kaq, por kanë fituar edhe 4 kupa europiane. Flasim për Hamburgun, Shalken, Verderin, Nyrembergun apo Dresdenin, të cilat nuk mund të turpërohen nga krahasimi me Dortmundin, Gladbahun, Shtutgartin apo Ajntrahtin e Frankfurtin. Nga Lindja, janë ngjitur në nivelin e dytë Dinamo e Dresdenit dhe Hansa e Rostokut. Nga 20 stadiumet më të mëdhenj të Gjermanisë, vetëm 10 janë në Bundesligë, ndërsa 8 janë në kategorinë e dytë. Duket pa kuptim që Hofenhajmi të marrë 60 milionë euro nga e drejta televizive ndërsa Hamburgu vetëm 15 milionë.

Sfidanti.al