Jemi në fillim marsi, drejt momenteve kulmore të sezonit, por jemi keq me fushat. Kampionati do të duhet të bëjë për momentin pa 5 stadiume, ndërsa është vendosur që të mbyllet edhe “Arena Air Albania”. Impianti kryesor i futbollit shqiptar do të rezervohet për finalen e Ligës së Konferencës që luhet në 25 maj në Tiranë, ndërsa kjo masë u mor në bashkëpunim edhe me UEFA-n, pas vizitës së përfaqësuesve europianë në Shqipëri pak javë më parë. Ndeshja e fundit në “Air Albania” ishte derbi Tirana-Partizani këtë të shtunë.
Gjithsesi, e keqja me infrastrukturën në atë që kemi dëshirë ta quajmë elitë të futbollit shqiptar nuk mbaron me kaq. Tirana do të detyrohet të luajë në fushë neutrale pasi stadiumi “Selman Stërmasi” nuk është i gatshëm, dhe fusha është në përpunim e sipër. Sipas klubit, terreni bëhet gati në nisje të muajit prill, por ndoshta afati mund të shtyhet. Po ashtu, Teuta po i zhvillon ndeshjet në stadium asnjanës, për shkak se fusha e “Niko Dovanës” nuk është ende në parametrat për të luajtur. Kukësi është “plagë” e vjetër, ndërsa u bënë vite që bredh qyteteve të Shqipërisë, nga Elbasani, Shkodra apo Kamza.
Edhe më i vjetër problemi i Kastriotit që luan në Kamzë, sepse stadiumi i Krujës as nuk ka nisur të rindërtohet. Në total, për momentin janë plot 6 skuadra që nuk mund të luajnë në fushat e tyre, Tirana, Partizani, Dinamo, Kukësi, Teuta e Kastrioti. Në shtëpi mbeten vetëm Laçi, Vllaznia, Egnatia dhe Skënderbeu.
Sfidanti.al