PSG në ndjekje të talentit brazilian

Paris Saint-Germain vazhdon të monitorojë me vëmendje tregun brazilian në kërkim të talenteve të rinj dhe së fundmi ka kthyer sytë nga një tjetër futbollist premtues i Palmeiras. Bëhet fjalë për Luis Pachecon, një mesfushor defensiv vetëm 18-vjeçar, i cili konsiderohet si një nga talentet më interesantë që po zhvillohen në akademinë e klubit brazilian. Megjithatë, një transferim i tij drejt Evropës nuk pritet të jetë i lehtë. Palmeiras ka krijuar një reputacion të fortë vitet e fundit për shitjen e talenteve të akademisë për shifra të konsiderueshme, ndërsa interesimi për Pachecon nuk vjen vetëm nga Parisi. Në garë për shërbimet e tij raportohet se janë edhe disa klube angleze.

Akademia e Palmeirasit është shndërruar në një prej burimeve më të rëndësishme të talenteve në futbollin brazilian. Vetëm vitet e fundit, klubi ka realizuar transferime të mëdha si Estevao te Chelsea për 61.5 milionë euro, Endrick te Real Madridi për 60 milionë euro, Allan te Manchester City për 40 milionë euro dhe Vitor Reis po te City për 35 milionë euro. Në listën e futbollistëve të prodhuar nga Palmeiras dhe të shitur për shifra të rëndësishme bëjnë pjesë edhe Gabriel Jesus dhe Richard Ríos. Pacheco, i lindur në Lajeado, debutoi në Serie A braziliane në vitin 2025. Deri tani, 18-vjeçari ka regjistruar gjashtë paraqitje në elitën e futbollit brazilian, me 105 minuta të luajtura në total. Paraqitjen e tij më të fundit e zhvilloi më 12 shtator kundër São Paulos, kur u aktivizua për 23 minuta.

Talenti brazilian është gjithashtu pjesë e strukturave të kombëtares së Brazilit në grupmoshat e reja. Ai ishte pjesë e ekipit U17 në Kupën e Botës 2025 në Katar, ku Brazili e mbylli turneun në vendin e katërt. Gjatë këtij viti, Pacheco është grumbulluar edhe me përfaqësuesen U20. Në Palmeiras, 18-vjeçari vijon të alternojë paraqitjet mes ekipit U20 dhe skuadrës së parë, duke ndjekur një proces gradual zhvillimi që duket se po funksionon për të. Sipas informacioneve të publikuara nga Terra, PSG po e monitoron nga afër situatën e Pachecos dhe mund të bëjë një ofertë konkrete për të në të ardhmen. Një tjetër element që e bën futbollistin interesant për klubin francez është polivalenca e tij, pasi Pacheco mund të aktivizohet edhe në krahun e majtë të mbrojtjes.