Everton në shitje, pronarët amerikanë kërkojnë blerës të rinj

Evertoni mund të ndryshojë sërish pronarë. Grupi amerikan “The Friedkin Group” ka konfirmuar se po shqyrton mundësinë e shitjes së një pjese kontrolluese të klubit anglez, më pak se dy vite pasi përfundoi blerjen e tij në dhjetor të vitit 2024.

Fillimisht, pronarët e rinj po kërkonin investitorë të jashtëm për të shitur një pakicë aksionesh dhe për të siguruar kapital shtesë. Megjithatë, tashmë në tavolinë është edhe mundësia e shitjes së shumicës së aksioneve, çka mund të sjellë një tjetër ndryshim të rëndësishëm në drejtimin e klubit nga Liverpuli.

Në një deklaratë zyrtare, “The Friedkin Group” bëri të ditur se po shqyrton alternativa të reja investimi, përfshirë shitjen e një pjese kontrolluese. Grupi theksoi se, kur mori drejtimin e Evertonit, klubi përballej me pasiguri të mëdha financiare dhe probleme sportive e organizative. Prioriteti i parë ishte stabilizimi i situatës dhe përfundimi i stadiumit të ri, “Hill Dickinson Stadium”. Sipas pronarëve, tashmë janë krijuar kushtet për të menduar për kapitullin e ardhshëm të klubit.