Atletico Madridi ka një emër të ri mes aksionarëve të tij. Shai Gilgeous-Alexander, ylli i Oklahoma City Thunder dhe një prej basketbollistëve më të spikatur të NBA-së, ka vendosur të investojë në klubin spanjoll.
Basketbollisti kanadez 28-vjeçar është shpallur MVP i sezonit të rregullt të NBA-së për dy vite radhazi, në vitet 2025 dhe 2026. Tashmë, ai po zgjeron aktivitetin e tij përtej parketit, duke u bërë pjesë e grupit të aksionarëve të Atletico Madridit, një prej klubeve më të njohura të futbollit europian. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Gilgeous-Alexander, i cili ka shprehur entuziazmin për këtë hap të ri në karrierën e tij jashtë sportit amerikan.
“Jam i emocionuar që bëhem zyrtarisht pjesë e grupit të aksionarëve të Atletico Madridit. Ky është një klub me një traditë të gjatë në majat e futbollit europian dhe falënderoj për mundësinë që të jem pjesë e së ardhmes së tij”, është shprehur basketbollisti, i lindur në vitin 1998.
Për Atletico Madridin, hyrja e një emri të njohur të sportit amerikan në strukturën e pronësisë përfaqëson një tjetër lidhje mes futbollit europian dhe yjeve të sportit ndërkombëtar.

