Mund të kesh epërsi dërrmuese në zotërimin e topit (63 për qind), mund të kesh dyfishin e gjuajtjeve (12-6), dhe dyfishin e pasimeve, shumë më tepër krosime dhe dominim në goditjet nga këndi dhe nga territori i zotëruar, por thuajse asgjë nuk vlen nëse nuk gjuan siç duhet në portë dhe nuk shënon. Liverpuli vërtet u kualifikua ndaj Interit dhe është në çerekfinalet e Championsit, por humbja 0-1 ia rrezikoi situatën dhe gjithçka e ngatërroi më duart e veta. Pavarësisht se goditi tri herë shtyllat e portës së Handanoviçit, sërish përfundimi ishte nervoz. Lautaro Martinez shënoi një gol të shkëlqyer në 61’ pas një gabimi të vendasve, por dy minuta më pas Aleksis Sançez u përjashtua siç e meritoi me karton të kuq pas dy të verdhave.
“Liverpuli ia doli me marshin e tretë, – tha ish-sulmuesi Dion Dablin, sot analist futbolli, – një mbrëmje e çuditshme. Nuk ishte Liverpuli klasik, por puna u përfundua”. Ndoshta, të kuqtë deshën të kursenin forcat për kampionatin ku luftojnë me Sitin për titullin, dhe iu ruajtën ndonjë dëmtimi, por i duhet dhënë merita Interit që u mbrojt fort në pjesën më të madhe të kohës dhe ishte i saktë dhe i disiplinuar në kundërsulm. Në fund, italianët patën një goditje dënimi, një shans, por nuk ia dolën dhe 50 000 tifozë në “Anfild” morën frymë të lehtësuar. Ishte humbja e parë në shtëpi në 1 vit, që pas 0-1 me Fulhamin në 7 mars 2021, por këto janë gjëra që ndodhin. Për të 5-in vit radhazi ekipi i trajnerit Jurgen Klop arrin në 8 më të mirët, dy herë ka qenë në finale dhe ka fituar Championsin në 2019.
Liverpuli: Alison, Aleksandër-Arnold, Van Dajk, Matip, Robertson, Xhons (Keita 65’), Fabinjo, Tiago Alkantara (Henderson 65’), Salah, Diogo Zhota (Luis Diaz 83’), Mane.
Interi: Handanoviç, Shkriniar, De Vraj (D’Ambrozio 45’), Bastoni, Damfris (Darmian 75’), Vidal, Brozoviç (Galiardini 75’), Çalhanoglu (Vesino 83’), Perishiç, Lautaro Martinez (Korrea 75’), Aleksis Sançez.
Sfidanti.al