Ai e di se është shumë i kërkuar, madje më i kërkuari i momentit. E di edhe se duhet të shfrytëzojë momentin dhe të sigurojë veten kushtet më të mira të mundshme. Kilian Mbape është një djalë i rrethinave të Parisit, i cili ka dashuri për veten dhe familjen e tij, por jo për klubet e futbollit me të cilat firmos kontratat. Përderisa koha e besnikërisë së fanelës ka mbetur prapa ndërsa globalizmi marshon, Mbapeja tek Reali i Madridit është një operacion i pastër biznesi. Tifozët e mendojnë ndryshe, ata duan golat dhe shkëlqimin e kampionit të botës që të ndihmojë “merengesit” të fitojnë Championse dhe La Liga, ndërsa 23-vjeçari kërkon të rrisë rrogën. Mediat shkruajnë që Mbapeja ka kërkuar rreth 100 milionë euro më shumë sesa është rënë dakord fillimisht, me gjasë sepse Paris SG i ka ofruar një shumë përrallore që të rinovojë. Raportet janë që Reali e ka hedhur poshtë këtë kërkesë, dhe pyetja e radhës është: A do të thotë kjo se transferimi në Madrid nuk do të ndodhë?!
Sfidanti.al