E dëshiron këtë trofe dhe e thotë hapur se i intereson sepse e legjitimon në majë të futbollit botëror. Kilian Mbape nuk pritet ta fitojë Topin e Artë këtë vit, por duke qenë 23 vjeç ka shumë kohë përpara për t’ia dalë. Në një intervistë në “Frans Futboll”, ylli francez thotë se këtë vit, favorit për të marrë çmimin është Karim Benzema, ndërsa pas tij vijnë Sadio Mane dhe vetë ai, Kilian Mbape. “Nëse Karimi nuk e merr këtë vit, do ta humbas përjetë besimin tek Topi i Artë”, – thotë kampioni i botës. Ylli i Paris SG kujton edhe fitoren e fundit të Lionel Mesit vitin e kaluar. “Ishte shumë nervoz mëngjesin para sesa të merrte trofeun, – kujton Kiliani, – u habita dhe i thashë sesi mund të kishte emocione pasi e kishte fituar 6 herë më parë. Unë do të kisha shkuar me cigare në gojë, por kjo tregon se mbetet ambicioz dhe dëshiron gjithmonë që të fitojë”.
Sfidanti.al