Mateus: Levandovski e fiton Topin e Artë këtë vit, me një kusht!

Padyshim që vështirë të gjeje një kandidat më të përshtatshëm. Përtej emrave të mëdhenj të Lionel Mesit, Kristiano Ronaldos, Sadio Manesë apo Sergio Ramosit, për Topin e Artë këtë vit favorit duhet të quhet Robert Levandovski. Sulmuesi i Bajernit jo vetëm që doli kampion i Bundesligës, por edhe fitoi Këpucën e Artë në kampionatin e tij me 34 gola, e me shumë gjasa do të jetë edhe Këpuca e Artë e Europës.

Polaku fitoi edhe Kupën e Gjermanisë, ndërsa në sezon ka gjithsej 51 gola, duke qenë edhe shënuesi më i mirë i Championsit deri tani me 11 rrjeta. Rekordmeni i ndeshjeve me Gjermaninë, ish-kapiteni Lotar Mateus, thotë se Levandovski do ta fitojë me siguri Topin e Artë dhe Çmimin e Lojtarit të Vitit nga FIFA nëse Bajerni arrin të paktën finalen e Championsit këtë vit. “Ne duhet të presim e të shikojmë nëse ai mund ta fitojë titullin botëror të futbollit, – tha kampioni i botës i vitit 1990, – por, mendoj se e meriton tërësisht, pasi është golshënuesi më i mirë në çdo konkurrim. Nëse Bajerni do të arrinte në finale në Champions, askush nuk do të ishte përpara tij”. Imagjinoni, sikur Bajerni ta fitojë Championsin, dhe Levandovski të shënonte në finale!

Sfidanti.al