Liga e Kombeve: shmangim Serbinë, por gjejmë Rusinë!

Ishte e pritshme që shorti do të ishte i vështirë në Ligën e Kombeve, dhe ndodhi pak a shumë siç mendohej. Shqipëria nuk do të ketë përballë një kundërshtar si Serbia, jo vetëm e fortë, por edhe një sfidë që mund të kishte “xixa”, por i takoi për pjesë një rival si Rusia. Kështu ndodhi me goglat në Nion të Zvicrës, që e vendosën kombëtaren kuqezi në grupin 2 të nivelit B, në shoqërinë e Islandës, Rusisë dhe Izraelit. Në përgjithësi janë kundërshtarë të njohur prej nesh, pasi me izraelitët dhe islandezët kemi ndarë pikët, kurse me Rusinë gjithashtu e kemi bërë këtë gjë që në eleminatoret e Europianit 2004, kur u mundëm 1-4 në Vollgograd, dhe fituan 3-1 në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Ndeshjet në grupe luhen nga 2 qershori deri në 27 shtator të vitit të ardhshëm, ndërsa finalet në 14-18 qershor 2023.

Grupi B2: Islandë, Rusi, Izrael, Shqipëri.

Sfidanti.al