Levandovski, vetëm 9 gola larg rekordit të madh të Gerd Mylerit!

I kanë mbetur edhe 11 ndeshje, nëse do të jetë në gjendje të mirë fizike dhe shëndetësore. Me shumë gjasë, ky është viti i duhur për Robert Levandovskin që të arrijë e të kalojë rekordin e golave në një sezon të Bundesligës që mbahet nga mitiku Gerd Myler. “Bomberi i Kombit” realizoi 40 herë në sezonin 1971-1972, ndërsa polaku ka 31 rrjeta deri tani, ndërsa ka luajtur vetëm 23 ndeshje. Tregolëshin ndaj Dortmundit ia rriti shumë kuotat, dhe besohet se parashikimet janë në favor të tij që të paktën të barazohet me Mylerin.

Në Bundesligë ai ka 193 gola për Bajernin e 74 për Dortmundin, pra gjithsej 267, duke qenë vetëm 1 gol larg Klaus Fisherit që mban vendin e dytë në renditjen e përgjithshme. Nuk dihet nëse polaku do të ketë mundësi që të arrijë rekordin tjetër të Gerd Mylerit, që kryeson me 365 gola. i duhen edhe 98, që me mesataren e tij mund t’i kapë për 3 vjet, apo edhe për 4 nëse nis të “plaket”. Levandovski ka 37 gola këtë edicion dhe do të jetë padyshim në sezonin e 6-të radhazi që kalon shifrën 40. Më shumë se kaq kanë bërë vetëm Lionel Mesi e Kristiano Ronaldo, ndërsa në total në karrierë ka 536 gola (bashkë me Poloninë), duke qenë rreth 27 gola prapa Zllatan Ibrahimoviçit.

Sfidanti.al