Në moshën 32-vjeçare po bëhet çdo ditë e më i mirë, ndërsa ekipi i tij ka gjithnjë e më shumë nevojë për të. Robert Levandovski u përgjigj sërish në apel për Bajernin me dy gola në Bundesligë, duke kaluar një “gur kilometrik” të rëndësishëm, e duke siguruar që bavarezët të ruanin ritmin e një Leverkuseni dhe të një Lajpcigu. Suksesi në “Alianc Arena” ishte 2-1 ndaj Volfsburgut në formë, dhe kjo bëri që kampionët në fuqi të ngjiteshin në 27 pikë, baraz me Lajpcigun dhe një pikë prapa Leverkusenin. Lajpcigu fitoi 1-0 në Hofenhajm, ndërsa Leverkuseni shkëlqeu me suksesin 4-0 në këln.
Levandovski, ndërkaq, po bën edhe një garë krejt të vetën. Sulmuesi polak arriti në 251 gola në Bundesligë, në 332 ndeshje të luajtura, ndërsa i duhen edhe 17 rrjeta për të mbërritur vendin e dytë Klaus Fisherin. Rekordi i Gerd Mylerit me 365 goditje të sakta në rrjetë mbetet larg. Polaku po ashtu ka 18 gola në 17 ndeshje këtë sezon, si dhe 15 gola në 11 ndeshje Bundeslige. A mund ta arrijë rekordin e Mylerit me 40 gola në një edicion të kampionatit? Të shohim!
Sfidanti.al