Nëse ka një kundërshtar që vazhdon të jetë një “mace e zezë” për Zhoze Murinjon, ky është Jurgen Klopi. Në Angli ata janë ndeshur shumë herë, dhe portugezi në 6 ndeshje jashtë fushe nuk ka fituar asnjëherë, duke pasur 4 humbje e 2 barazime. Jo vetëm kaq, por gjatë gjithë karrierës së të dyve, Murinjo është ndeshur me Klopin më shumë se me këdo tjetër, dhe nuk ka fituar kurrë në shtëpinë e gjermanit. Kështu ndodhi edhe këtë herë në “Anfild”, me suksesin 2-1 të Liverpulit. Gjithsesi, dy trajnerët patën mendime të kundërta për mënyrën sesi u luajt ndeshja e Premier Ligës.
“Një ndeshje e mirë nga ana jonë kundër një “monstre” të kundërsulmit, – tha ai, – ne ishim të jashtëzakonshëm në zotërimin e topit. Po, ata shënuan një gol, patën dy raste të pastër, por përveç kësaj ne e kontrolluam krejt ndeshjen dhe ishin tri pikë të merituara në mënyrë madhështore. Jam i lumtur. Për mua, goli i tyre ishte pozicion jashtë loje. Ata e panë atë 20 herë, por kur unë e pashë, u binda që ishte pozicion jashtë loje. Nuk po fajësoj njeri. E vetmja mënyrë për t’u mbrojtur ndaj Totenhemit është që të mbash topin në zotërim. i lumtur që shënuam në fund sepse ne zotëruam topin mbi 70 për qind ndaj një skuadre shumë të mirë. i lumtur për Bobin (Firminon) që luajti një ndeshje të madhe. Çfarë biseduam me Murinjon. Asgjë serioze, ai e tha vetë, pra s’kam pse e përsëris”.
Po Murinjo? Ai pati mendim krejt tjetër. “Ne nuk ishim shumë pranë barazimit, por shumë pranë fitores, – tha Murinjo, – problemi ishte që ne i humbëm rastet. Ne kishim shanset, ne kishim ndeshjen nën kontroll, barazimi do të kishte qenë një rezultat i keq, pra imagjinojeni sesi ndihemi pas humbjes. Paraqitje shumë e mirë dhe natyrisht disa gabime, disa gjëra për t’u përmirësuar, një rezultat shumë i padrejtë. Lojtarët më thanë se unë kam të drejtë që kam thënë që nga fillimi i sezonit që ne hyjmë në çdo ndeshje për të fituar. Ne luajtëm ndaj kampionëve, në stadiumin e tyre dhe ne patëm rastet më të mira”.
Sfidanti.al