Kumani mendon se Barça e fiton Ligën, por mbeti duke parë orën në fund!

E thekson shumë drejt e përditshmja “AS”, që nuk harroi ta pikaste. Edhe pse Barcelona luajti shumë më mirë sesa më parë, dhe fitoi me meritë 2-1 ndaj Sociedadit në “Kamp Nou”, sërish trajneri Ronald Kuman dhe stafi i tij mbetën duke parë orën ndërsa afrohej fundi. Diçka jo normale për një skuadër që ka qenë kaq shumë e dashuruar me futbollin saqë donte të luante edhe pas vërshëllimës së fundit. Katalanasit, gjithsesi, treguan më shumë karakter, pasi reaguan ndërsa pësuan gol të parët. Uillian Hoze shënoi për miqtë në 27’, por për 4 minuta Barça barazoi me Zhordi Albën. Po në pjesën e parë, Frenki De Jong shënoi një gol të rëndësishëm duke kaluar të tijtë në avantazhin që u ruajt deri në fund. Për 7 ndeshje me radhë, katalanasit nuk përmbysnin dot rezultat, dhe e bënë ndaj liderit që nuk kishte humbur asnjë sfidë jashtë fushe.

“Mendoj se mund të mendojmë për ta fituar La Ligën, – tha Kumani, – varemi nga këmbët tona, kampionati është i gjatë. Kemi ende shumë gjëra për të rregulluar taktikisht, ndonëse luajtëm pjesën e parë më të mirë që kur unë jam këtu”. Trajneri i Sociedadit, Imanol, theksoi se “kishte shumë kohë që nuk e kisha parë Barcelonën të luante kështu”. Katalanasit kanë 20 pikë në 12 ndeshje, Sociedadi ka 26 pikë në 14 ndeshje, Atletiko ka 26 pikë në 11 ndeshje, ndërsa Reali ka 26 pikë në 13 ndeshje. Formacioni i Barçës: Ter Shtegen, Dest, Mingeza (Lengle), Zhordi Alba, Arauho, Pedri (Pjaniç), De Jong, Buskets (Alenja), Grizman (Trinsao), Mesi, Brejthuejt.

Sfidanti.al