Nga Inter i çmendur, është kthyer në Inter të matur që i afrohet kreut!

Deri tani thuhej se ky ekip i çmendur luan mirë, luan fort dhe gabon duke humbur kur duhej të kishte fituar, ndërsa tani po thuhet e kundërta. Interi fitoi minimalisht 1-0 ndaj një Napoli mjaft të mirë, që krijoi raste dhe që nuk pati fat me kartonin e kuq për Lorenco Insinjen, si dhe me dëmtimin e Dris Mertensit. Seria e fitoreve për nder të Maradonës përfundoi, ndërsa Interi tregoi se po bëhet më në fund një skuadër serioze.

Duelin e Serisë A në “San Siro” e vendosi një i përhershëm, Romelu Lukaku që shënoi me penallti në 73’, dhe skuadra e Antonio Kontes pati durim për të kërkuar golin, si dhe pati përqëndrim për të mos pësuar. Bashkë me barazimin 2-2 të Milanit në fushën e Xhenoas, ndodhi që Interi të jetë tani vetëm 1 pikë prapa kreut, me 27 pikë ndaj 28 të kuqezinjve. Ishte një ndeshje e ashpër ajo në Milano, me 8 të verdhë (5 për Interin) dhe një të kuq, si dhe me polemika. Xhenaro Gatuzo nuk e gëlltiti përjashtimin e Insinjes, duke theksuar pas ndeshjes se “vetëm në Itali ndodh që të të japin të kuqin për një sharje normale të lojës”. “Kam luajtur në Skoci dhe gjëra të tilla nuk ndëshkoheshin me kartona, – shtoi trajneri napolitan, – një gjyqtar europian nuk do ta bënte këtë gjë. Arbitri Masa u tregua me qëllim të keq”.

“Ishte një ndeshje e vështirë, taktike, – tha trajneri interist, Konte, – nuk ishte e bukur. Ndaj Napolit e dinim se do të ishte shumë e vështirë. Le të marrim këto tri pikë e t’i fusim në xhep. Sfida të tilla na ndihmojnë që të rritemi, ndonëse kur Petanja goditi shtyllën ne ishim me fat. Në fund, skuadra ndjeu peshën e një ndeshjeje të tillë dhe sikur u bllokua”. Milani, ndërkaq ishte pranë humbjes në fushën e Xhenoas, por shpëtoi dhe mbetet i pathyer (8 fitore, 4 barazime). Përfundoi 2-2 me gola të Destros për vendasit (47’, 60’), si dhe të Kalabrisë (52’) dhe Kalulut (83’). “Një barazim në një fushë të vështirë, por jemi duke pësur pak si shumë gola”, – thotë trajneri Pioli.

Sfidanti.al