Liverpuli “volli gjak” për të mundur Totenhemin, por fitoi futbolli!

Nëse të gjitha skuadrat do të vendosnin të luanin siç bëri ajo e Zhoze Murinjos këtë mbrëmje, apo siç bënte dikur Interi i Herrerës apo Italia e Bearxotit, atëherë futbolli me shumë gjasë nuk do të ishte sporti më popullor në botë, dhe njerëzit do të shikonin më mirë golfin apo shahun. Një ekip që mbrohet në mënyrë fanatike, vërtet heroike, që bën vetëm 20 pasime në gjysmëfushën kundërshtare, që mban topin vetëm 24 për qind, dhe që lojën e bazon tek “muri” para portës dhe kundërsulmi, nuk do të ishte reklama më e mirë e sportit tonë të dashur.

Totenhemi i Zhoze Murinjos për pak ia arriti qëllimit ndaj Liverpulit në “Anfild”, dhe u dëmtua vetëm në minutën e 90-të, madje me një gol që mund të jetë ndihmuar nga një faull i Xhordan Hendersonit ndaj Erik Dajerit. Ishte Roberto Firmino që shënoi me kokë, ndërsa në pjesën e parë Mohamed Salah kishte kaluar Liverpulin në epërsi në 26’ dhe Son kishte barazuar në 33’. Kampionët e Anglisë patën dominim absolut në lojë, me mbi 200 pasime në gjysmëfushën kundërshtare (10 herë më shumë sesa Spërsat).

“I thashë Jurgenit se sonte skuadra më e mirë humbi, – tha Murinjo në fund, – por, ai nuk ishte dakord me mua”. Liverpuli ka 28 pikë në krye të renditjes ndaj 25 të Totenhemit, ka shënuar 29 gola pra më shumë se gjithë skuadrat e tjera, por edhe ka pësuar shumë, 19, nga të cilët 7 vetëm në një ndeshje, në fushën e Aston Vilës.

Sfidanti.al