Levandovski dëgjon ofertat, mos vallë Bajerni mendon Halandin?!

Në jetë dhe në futboll nuk ka martesa të përjetshme, sido që të kenë qenë premtimet. Edhe “çifti i lumtur” Levandovski-Bajern mund të ketë një “datë skadence” dhe televizioni “Skaj Sports” njofton se Bajerni ka vendosur të dëgjojë ofertat që mund t’i vijnë për superyllin polak. Levandovski ka qenë i jashtëzakonshëm gjithë këta vjet, madje dy vitet e fundit ka qenë i paprekshëm edhe nga Mesi e Ronaldo, por mosha e tij 32-vjeçare dhe dalja në skenë e Erling Halandit kanë bërë, siç duket, që Bajerni të mendohet.

Trajneri Hansi Flik do të largohet dhe Julian Nagelsman do të vijë, e ndoshta klubi dëshiron të hapë një epokë të re në çdo aspekt. Sipas televizionit, agjenti i Levës, Pini Zahavi, ka nisur kontaktet me klubet e tjerë, ndonëse nuk dihet se kur ai mund të largohet. Dikur ishte Reali i interesuar për të, dhe Levandovski deshi të largohej, por nuk mundi. Këtë herë mund të ndodhë.

Sfidanti.al