Largohet Rumenige, një epokë e madhe mbyllet tek Bajerni!

Në 1974, një 18-vjeçar braktisi studimet për bankier dhe u bashkua me klubin e madh. Emri i tij ishte Karl-Hajnc Rumenige dhe askush nuk e mendonte në atë kohë se ky djalosh flokëverdhë do të kthehej në një legjendë të Bajernit, deri sa sot në vitin 2021, vendosi të jepte dorëheqjen. Që nga spektakli në fushë, në shkëlqimin si drejtues i madh, i mbiquajturi “Kalle” është një nga personalitetet më të spikatur të bavarezëve, dhe largimi tij, paksa i parakohshëm shkaktoi një tronditje në Gjermani. Në moshën 65-vjeçare vendosi t’i jepte fund funksioneve si shef ekzekutiv 6 muaj përpara përfundimit të kontratës. “Kjo është koha më e logjikshme dhe në momentin më strategjik, – deklaroi Rumenige, – është fundi i vitit fiskal, dhe nis një sezon i ri me trajnerë të rinj. Ky sezon duhet të jetë që nga fillimi përgjegjësi e shefit të ri ekzektiv, Oliver Kahn”.

Historia e Rumeniges nis gati gjysmë shekulli më parë, kur djaloshi nga Vestfalia erdhi në Mynih në 1974, aty ku ishin legjendat Bekenbauer, Gerd Myler, Zep Maier dhe Uli Hënes. Ai e nisi me rrogën 8 8 000 dojçmarka në muaj dhe udhëhoqi ekipin pas largimit të legjendave. Riktheu titullin kampion, ndërsa në ndeshjen e fundit në 1984, shënoi penalltinë vendimtare në finalen e Kupës.

Bajerni shpëtoi nga kriza financiare kur Rumenige kaloi tek Interi në Milano për 11 milionë dojçmarka. Në Serinë A po ashtu fitoi status legjende. Lotar Mateus thotë se “kur unë shkoj në Milano, njerëzit nuk flasin edhe aq për Klinsmanin, Brehmen apo për mua, por mbi të gjitha për Rumenigen, që nuk fitoi titullin, por fitoi dashurinë e tifozëve”.

Në 1991, kur i dha fund karrierës, Bajerni e ftoi bashkë me Bekenbauerin në rolin e zv. presidentit. Duke pasur në krah edhe Uli Hënesin, ata rikthyen epokën e lavdisë në Mynih, duke e bërë klubin më fitues të Gjermanisë dhe më të sigurin financiarisht në botë. Karl-Hajnc Rumenige u vlerësua lart për 30 vjet për cilësitë e tij profesionale dhe njerëzore. Bekenbauer thotë se gjermanët e Vestfalisë janë të tillë, të dashur, të gëzueshëm, besnikë dhe punëtorë.

Një njeri familjar, “Kalle” është i lidhur me gruan e tij që kur ishte 17 vjeç e deri sot e kësaj dite. Rumenige, së bashku me Uli Hënesin, janë simboli i sukseseve të mëdha të bavarezëve në 20 vitet e fundit. Si lojtar dhe si drejtues ai ka fituar 59 trofe, ndoshta rekordmen botëror, përfshi 19 tituj në Bundesligë dhe 3 Champions.

Sfidanti.al