Kurrë nuk kishte ndodhur më parë, dhe as nuk mendohej që rekordmenët e titujve në Itali të mbërrinin në këtë “derexhe”. Në borderonë e Juventusit firmosin (ende) për të marrë rrogën 3 trajnerë, duke nisur me Mauricio Sarrin e shkarkuar në fund të sezonit të kaluar, Andrea Pirlon e larguar këto ditë dhe Masimiliano Alegrin e rikthyer pas dy vjetësh. Një problem menaxhimi besohet i presidentit Andrea Anjeli, dhe i drejtuesve Nedved e Paratiçi, me këtë të fundit që u sakrifikua si “kokë turku”.
“Zonja e Vjetër” është e detyruar të japë 30.15 milionë euro gjatë sezonit të ardhshëm për të tre trajnerët, pasi Alegri merr 9 milionë euro rrogë neto, por bashkë me taksat i shkon 16.65 milionë. Sarri ishte me kontratë neto 5.5 milionë euro në sezon, që bashkë me taksat shkon 10.2 milionë, ndërsa Pirlo është më pak shpenzues me rrogën prej 1.8 milionë eurosh (3.3 bashkë me taksat). Juventusi shpreson që Sarri e Pirlo të gjejnë punë këtë verë për t’i hequr nga libri i pagave, ose të përdorë klauzolën prej 2.5 milionë eurosh për Sarrin që vlen deri sot në mbrëmje.
Sfidanti.al