Zhan Todt nuk e lë vetëm Shumaherin, por është pesimist për legjendën!

Miku nuk e lë mikun në baltë, dhe shoku është për ditë të këqija. Zhan Todt është i këtij parimi, ndaj edhe shkon për ta vizituar sa më shpesh që ta ketë të mundur, mikun e tij të shtrenjtë, Mikael Shumaher. Pasi shkoi herën e fundit, ai u pyet për gjendjen e legjendës së Formula 1. Duke mos dashur të zbulojë shumë, francezi gjithsesi nuk mund ta fshihte të vërtetën. Shumi nuk është në gjendje edhe aq të mirë, pavarësisht kujdesit shëndetësor dhe familjar që prej 8 vjetësh, që kur i ndodhi aksidenti i rëndë në Alpet e Francës.

“Mikaeli po lufton, – tha ish-shefi i Ferrarit, – ai ka fatin që ka pranë një grua të shkëlqyer. Unë nuk e lë vetëm, kjo është e vetmja gjë që mund të bëj sot për sot për të. Është maksimumi. Nëse në të ardhmen do të kem mundësi të bëj diçka tjetër, do ta bëj. Kemi kaluar kohë të bukura bashkë, dhe kjo gjë vazhdon. Ju më pyesni nëse kemi ndonjë mundësi që ta shikojmë siç ishte përpara aksidentit? Nuk mendoj se kjo është e mundur”.

Sfidanti.al