Hyri në fushë më herët se zakonisht, dhe ishte normale. Françesko Toti luajti sot pasdite ndeshjen e tij të fundit si futbollist i Romës, por nuk besohet se e kishte menduar kaq dramatike lamtumirën e tij. Trajneri Luçiano Spaleti, edhe pse nuk e ka pasur zakon, shkeli parimet e tij për t’i dhënë një mbyllje dinjitoze karrierës së një futbollisti të madh. Drama në takimin e Serisë A ndaj Xhenoas, nuk pati të bënte me Totin, gjithsesi.
Në të njëjtën kohë po luante edhe Napoli, duke zhvilluar një garë në distancë me Romën për kualifikim direkt për në Champions. Ishte minuta e 54-ët kur kapiteni zëvendësoi Salahun dhe rezultati ishte 1-1, ndërsa kryeqytetasit donin fitoren. E arritën për një moment në 74’ kur De Rosi i kaloi në avantazh, por Xhenoa nuk u dorëzua. Pa kaluar pesë minuta erdhi barazimi i dytë me autor Lazoviçin, madje pak më vonë Lazoviç goditi edhe shtyllën. U desh minuta e fundit, që Peroti të shënonte golin e kualifikimit, gol që e mbajti Romën në vendin e dytë.
Napoli, nga ana e tij, fitoi 4-2 në fushën e Sampdorias, me Elseid Hysajn në fushë si titullar, por suksesi i Romës e la në plej ofin e Championsit. Mertens, Insinje, Hamshik dhe Kajehon shënuan për skuadrën e trajnerit Sarri, që ashtu si romanët, bëri një sezon të madh. Në përfundim, Juventusi ka 91 pikë, Roma 87 dhe Napoli 86, me skuadrën kryeqytetase që shënoi 90 gola dhe atë napolitane që arriti në 94 në 38 javë të Serisë A.
Pas ndeshjes, erdhi lamtumira e gjatë e Totit përpara 80 000 shikuesve në stadiumin “Olimpik”, mbyllje në moshën gati 41-vjeçare, pasi zhvilloi gati 25 vjet karrierë vetëm me fanelën e Romës.
Sfidanti.al