“La Gazeta delo Sport”, pyetje retorike Inzagit: Ku është Kristjan Asllani?!

Mbërriti me kredenciale të forta, u kërkua shumë nga klubi, dhe u pëlqye menjëherë nga tifozët. Kristjan Asllani u cilësua si një nga përforcimet më të rëndësishme të verës për Interin, bashkë me Romelu Lukakun apo Henrik Mkitarianin, por gjithsesi, mesfushori i kombëtares shqiptare nuk po arrin ta thotë ende fjalën e tij në “San Siro”. Trajneri Simone Inzagi e ka aktivizuar gjithsej 23-24 minuta në Serinë A, ndërsa kritikat mediatike kanë nisur menjëherë pas disfatës në derbin ndaj Milanit. Humbja 2-3 në kampionat solli jo vetëm reagim të tifozëve, por edhe një vërejtje nga “La Gazeta delo Sporti”.

Media kryesore sportive italiane i bën trajnerit Inzagi një pyetje retorike: Ku është Asllani? E përditshmja shkruan se shqiptari 20-vjeçar as nuk po konsiderohet zëvendësues i Brozoviçit dhe as lojtar krahu, ndërsa mund të jetë shkëndija për ndryshimin pasi shkëlqeu në verë. Pikërisht gjatë verës, Kristjan Asllani tregoi një formë të madhe kur iu dha mundësia të aktivizohej në ekipin e parë të Interit, edhe pse luajti në ndeshjet miqësore. Ai shënoi gola, shërbeu asistë, dhe ishte një nga më të mirët për zikaltërit.

Sfidanti.al