Kush e fiton derbin e Torinos? Kush ka kampionë të Europës!

Nga “demat” mungoi i vetmi lojtar që kishte qenë në “Uembli” me Roberto Mançinin, ndërsa tek “Zonja e Vjetër” të gjithë ishin në apel. Diferenca në cilësi bën diferencën shpesh në rezultat dhe kështu ndodhi në derbin e luajtur në “Stadiumin Olimpik” të Torinos. Vendasit me të njëjtin emër u mundën 0-1 nga Juventusi falë një goli të Manuel Lokatelit në 86’, pas një përballjeje të fortë, ndoshta jo edhe aq të bukur, por me ritën dhe thuajse të barabartë. Jo keq për Torinon e trajnerit Juriç, por sërish cilësia bën që topi të hyjë në rrjetë.

Lokateli është pjesëtar i Italisë, kampione të Europës, dhe ishte titullar, ashtu si edhe Kielini, Kieza dhe Bernardeski. Kampioni tjetër i Europës, Leonardo Bonuçi, ishte në stol, ndërsa për Toron mungoi Andrea Beloti. Një sukses i rëndësishëm për bardhezinjtë që sërish nuk kishin dy sulmuesit kryesorë, Paulo Dibalën dhe Alvaro Moratën, por që kanë kualitet me Sheznin në portë, De Ligtin në mbrojtje dhe Keanin në sulm. Etrit Berisha i kombëtares së Shqipërisë, dhe Mërgim Vojvoda i Kosovës, ishin në stol për “granatët”. Në renditje, Juvja ka 11 pikë dhe  vazhdon ngjitjen, ndërsa Torino mbetet me 8.

Sfidanti.al