Xheko është “Lukaku i ri” i Interit, boshnjaku nuk di të plaket!

Jo më kot është një nga lojtarët më të paguar në Itali, dhe rroga e tij i afrohet 10 milionë eurove në sezon. Aspak keq për Interin në krizë financiare, dhe aspak keq për një futbollist që sot është 35 vjeç. Edin Xheko, gjithsesi, është “i paoksidueshëm”, pra një njeri që nuk di të plaket, ndërsa rëndësia e tij u kuptua kur u aktivizua si zëvendësues për Interin në fushën e Sasuolos në Serinë A, duke realizuar përmbysjen e ndeshjes, nga 0-1 në 2-1. Jo më kot në Bosnjë-Hercegovinë e quajnë “dijamant”, pra diamant!

Xheko hyri në fushë në minutën e 57-të, dhe barazoi në të 58-ën, ndërsa më pas fitoi penalltinë që Lautaro Martinez e ktheu në gol në minutën e 78-të. Domeniko Berardi kishte kaluar Sasuolon në epërsi në pjesën e parë, gjithashtu me penallti. Veterani boshnjak është shënuesi më i mirë i Serisë A bashkë me Çiro Imobilen. Kanë kaluar shumë vite që kur Xheko kaloi në Sllovani që nga Bosnja, për vetëm 25 000 euro, por pastaj në 2007, Volfsburgu pagoi 4 milionë euro për të. Mançester Siti dha 32 milionë euro. Roma gjithashtu pagoi 15 milionë euro për të, dhe shuma totale shkon në mbi 50 milionë euro.

Pas fitores me Sasuolon, Interi mban ndoshta përkohësisht vendin e dytë me 17 pikë ndaj 18 të Napolit e 16 të Milanit, por që kanë luajtur një ndeshje më pak. Po ashtu, zikaltërit janë ata që kanë shënuar më shumë gola, 22 deri tani ndaj 16 të Napolit, 15 të Lacios e 14 të Romës.

Sfidanti.al