Nuk mjaftojnë rezultatet “remi” që nuk po na ndahen (11 në 14 ndeshjet e fundit), por janë edhe përjashtimet nga loja që po spikasin në këtë sezon të Superligës shqiptare. Në dy sfidat e sotme, pati po aq gola sa edhe kartonë të kuq, nga 3, ndërsa Egnatia mundi 2-1 Kastriotin e Skënderbeu me Vllazninë barazuan 0-0. Nëse në Rrogozhinë ishin të kuq për arsye teknike, çështje futbolli, në Korçë përjashtimi i Adilit ishte për sherr. Futbollisti i Vllaznisë mori të verdhën e dytë pas pushimit, për një konflikt në fund të pjesës së parë me trajnerin e Skënderbeut, Migen Memelli dhe me një tjetër.
Më tej, mbrojtësi shqiptar nga Maqedonia e Veriut shkoi drejt stolit të Skënderbeut për sherr me Memellin duke e ofenduar me fjalë banale. U desh ndërhyrja e dy stafeve teknike dhe e forcave të sigurisë për të ndaluar përplasjen fizike, ndërsa pritet që Adili të marrë një ndëshkim të ashpër nga Disiplina. Trajneri i Vllaznisë, Brdariç, deklaroi më pas se “Adili është tip impulsiv dhe duhet të kontrollojë më shumë veten”. Memelli deklaroi se deshi të ndante Adilin me Zguron, por u ofendua nga lojtari kuqeblu.
Java 4: Egnatia-Kastrioti 2-1, Skënderbeu-Vllaznia 0-0; të premten: Dinamo-Partizani 1-1; Nesër: Tirana-Laçi në 13:45, Kukësi-Teuta në 16:45.
Sfidanti.al