Ishte një ndeshje që duhej fituar, dhe kaq. Nuk vlente mënyra sesi, por pas eleminimit nga Championsi, Mançester Sitit i mbetet vetëm një trofe i madh për të fituar, titulli në Angli, dhe skuadra e Pep Guardiolës nuk gaboi. Mundi minimalisht me një gol Totenhemin, pikërisht kundërshtarin që e nxorri jashtë Ligës së Kampionëve, duke realizuar një hakmarrje sado të vogël, dhe duke u ngjitur në krye të renditjes së kampionatit.
Fil Foden u bë lojtari më i ri që shënon për Sitin në Premier Ligë, duke qenë i vitlindjes 2000, dhe goli i minutës së katërt doli i mjaftueshëm. Jo se ndeshja nuk pati çaste emocionuese, madje vendasit i bënë tifozët të vuanin shumë. Totenhemi nuk u dorëzua, pavarësisht epërsisë së Sitit në zotërimin e topit, duke pasur disa raste për të barazuar. Son, Dajer apo Lukas Moura patën mundësi të shënonin, por Guardiola u shpëtua nga portieri i tij, braziliani i shkëlqyer Ederson.
Kampionët e Anglisë gjithashtu kishin shanset e tyre, por nervozizmi nuk i lejoi të ishin të qartë e të saktë para portës së Jorisit. Tensioni u ndje që nga fillimi deri në fund, dhe ishte i natyrshëm për shkak të dështimit të madh në Champions, ku Siti cilësohej favorit.
Të dyja skuadrat patën pretendime për gjyqtarin, duke kërkuar penallti. Në pjesën e parë ishte radha e vendasit, ndërsa pas pushimit Spërsat protestuan fort, por pa dobi. Me këtë fitore, Mançester Siti ka 86 pikë ndaj 85 të Liverpulit, tashmë me ndeshje të barabarta, dhe mban kreun e Premier Ligës.
Sfidanti.al