Ia dolën në ndeshjen e fundit duke realizuar një “sprint” të fuqishëm, kur mendohej se nuk kishte më shpresë. Liverpuli u kualifikua për në Champions sezonin e kaluar, madje duke dalë në vend të tretë në Premier Ligë pas fitores 2-0 ndaj Kristël Palasit, dhe dështimit të Çelsit e Leisterit, ndërsa trajneri Jurgen Klop u shpreh më në fund i kënaqur. Pasi foli për ndeshjen që, sipas tij, ishte me shumë erë të bezdisshme, dhe pasi falenderoi ekipin që shënoi dy golat, gjermani theksoi se “vendimtare është energjia dhe ne morëm shumë energji nga tifozët në stadium”.
Në 10 ndeshjet e fundit, Liverpuli arriti 8 fitore e 2 barazime, duke realizuar objektivin minimal. “Jam krenar për reagimin e ekpit pas kohëve të vështira që patëm, – theksoi Klopi, – ne reaguam fort në 10-15 ndeshjet e fundit. Nuk ishte viti për të dalë kampion, por jam i kënaqur me vendin e tretë”. Duke folur për momentin më të keq të sezonit, tekniku tha me sinqeritet se “nuk kishte vetëm një moment të keq, por disa, veçse ne nuk kemi dëshirë që t’i kujtojmë tani, le të pushojmë 3 javë dhe të nisim punën për sezonin tjetër”.
Sfidanti.al