Klop flet për Guardiolën dhe duelin e së shtunës ndaj Sitit!

Respekti për rivalin e radhës është maksimal dhe ka arsye, veçse nuk ka arsye për të mos besuar tek fitorja. Jurgen Klop dhe Liverpuli i tij do të ndeshen të shtunën me Mançester Sitin e Pep Guardiolës në përballjen më të madhe të 31 dhjetorit në Angli. Trajneri gjerman nuk ka ngurruar të ngrejë në qiell “Guardiolën që ka ndikuar shumë në futboll vitet e fundit”. “Quhet Futbolli Total, – tha ai, – ndoshta Johan Krujfi e nisi, por Guardiola e përsosi. Ai është 100 për qind një trajner i jashtëzakonshëm, ai ka një ndikim të madh në futboll me idetë e tij të qarta dhe spektakolare”. Gjithsesi, Klop shtoi se “stili i Barcelonës nuk është e lehtë për çdo ekip tjetër pasi varet nga lojtarët që ke”.

Klop është ndeshur me Guardiolën kur ishin në Bundesligë, njëri me Dortmundin dhe tjetri me Bajernin, ndonëse tani kohët kanë ndryshuar. “Çdo ndeshje është e veçantë, – thotë ai, – gjithsesi, kjo është më e jashtëzakonshmja që mund të mendoj, ndaj një skuadre shumë të fortë, do të jetë shumë e vështirë për të dyja palët”. Trajneri i Liverpulit ka një argument më shumë në favor, stadiumin “Anfild”, “që mund të shfrytëzohet nga ne, për të ndryshuar ndeshjen”. Liverpuli është i dyti në Premier me 40 pikë, ndërsa Siti i treti me një pikë më pak.

Sfidanti.al