Flitej gjithmonë për një talent të madh dhe vazhdon të jetë i tillë, pasi ende është 23 vjeç, por gjatë këtij viti ka kaluar më shumë ditë të vështira, se sa të lumtura. Ergys Kaçe është kthyer sërish në Korçë, qytetin ku ka lindur dhe në fillim të janarit do të prezantohet me uniformën e Skënderbeut, për të vazhduar me kampionët pjesën e mbetur të edicionit. Kjo ishte mundësia më e mirë e mesfushorit, por edhe e vetmja që i kishte mbetur, për t’u “riformatuar”.
U duk sikur Kaçe arriti kulmin me atë gol spektakolar të shënuar ndaj Francës, në miqësoren e luajtur në “Elbasan Arena”. Më pas u transferua nga PAOK i Selanikut në Çeki, tek Viktoria Plzen, ku filloi edhe periudha “Jo”. Fillimisht ishte trajneri De Biazi që e largoi me arrogancë nga Kombëtarja, sepse faktin që nuk i pëlqente stoli, Ergysi guxoi ta shprehte edhe publikisht. Më pas edhe çekët e kthyen në shtëpi, por për një veprim që e konsideruan shkelje të disiplinës. Nënkampionët e Greqisë nuk kishin më një vend për të, madje as në pankinë dhe Skënderbeu mbeti një alternativë e mirë për të filluar ringritjen. Por një gjë është e sigurtë, ky është një transferim luksi për futbollin shqiptar dhe Kaçe i ka të gjitha mundësitë për të treguar, se këtu është vetëm provizorisht.