Ajo është një sportiste dhe një femër që shumëkush mezi pret ta shohë apo ta dëgjojë se çfarë thotë. Veçse, Amanda Rusei nuk e pati aspak ndërmend t’u japë ndonjë kënaqësi mediave, publikut dhe tifozëve të saj “të thekur”, ndërsa u peshua për ndeshjen në Las Vegas ndaj Amanda Nunesit. Sapo u ngjit në peshore dhe u lajmërua se ajo peshonte ekzaktësisht aq sa duhej për t’u lejuar të ndeshej, amerikania zbriti dhe u largua me shpejtësi duke u kthyer shpinën të pranishmëve në sallë.
“Unë nuk e çaj kokën sesi janë këto ndeshje që jepen në televizionet me pagesë, – është shprehur ajo në një intervistë të rrallë që ka pranuar të japë, – nuk e çaj kokën për mediat dhe për tifozët, dhe as sesi dukem. Nuk më bëhet vonë sesa para fitoj, por thjesht dua të fitoj titullin botëror që humba”. Femra kaliforniane është cilësuar si më tërheqësja dhe më dominuesja në Artet e përziera marciale (MMA) ku ka qenë kampione pasi fitoi medaljen e bronztë olimpike në xhudo në Pekin në 2008.
Humbja e saj ndaj Holi Holmit vitin e kaluar shkaktoi tronditje të madhe, por edhe një kaos të vërtetë. Holm e mundi bindshëm 29-vjeçaren, por pastaj u mposht njëlloj nga Majesha Teit (Miesha Tate). Kjo e fundit u mposht pikërisht nga rivalja e tanishme e Ruseit, Amanda Nunes.
Sfidanti.al