Kapiten Toti fsheh të ardhmen, pritet lamtumira me topinm jo me Romën!

Drejtori i ri sportiv i Romës, Monçi, tha disa fjalë që bënë përshtypje dhe që mund të piketojnë një të ardhme. “Kam dëshirë që Françesko (Toti) të punojë krah meje dhe të më tregojë se çfarë është në të vërtetë, Roma”. Kjo shprehje e spanjollit duket se ka ndryshuar gjendjen, dhe është vlerësuar nga kapiteni i skuadrës. Në moshën gati 40-vjeçare, legjenda verdhekuqe duhet të sqarojë se cila do të jetë e ardhmja.

Do të jetë ndeshja e 28 majit, e fundit për të si futbollist? “Do ta mësoni më vonë”, – thotë Françesko. Ndërkaq, ata që jetojnë pranë klubit thonë se Monçi dhe Toti janë takuar me njëri-tjetrin dhe kanë biseduar. Besohet se “A Françe” do të pranojë rolin drejtues në krah të Monçit, fillimisht si ndihmës i tij pasi i duhet të mësojë, dhe pastaj do të ketë pozicionin e tij. Golshënuesi i dytë më i mirë i Serisë A në të gjithë historinë, mendohet se nuk do të këmbëngulë më tej për të veshur këpucët me kunja. Pritet, ndërkaq, se çfarë do të bëjë Luçiano Spaleti, do të qendrojë apo do të largohet? Pavarësisht se ai dhe Toti nuk shkojnë mirë, duket se diçka të përbashkët e kanë, pasigurinë për të ardhmen.

Sfidanti.al