Juve-Napoli do jetë 3-0, vendimi i Ligës së Futbollit nuk le dyshim, por do ketë polemika!

Nuk kanë ndërmend të lëvizin nga qyteti i tyre, por kjo mund të kushtojë. Futbollistët e Napolit janë në karantinë, dhe në stërvitje të kufizuar, duke mos udhëtuar drejt Torinos për ndeshjen ndaj Juventusit, gjë që mund t’u kushtojë shtrenjtë. Liga Italiane e Futbollit ka vendosur zyrtarisht se ndeshja e Serisë A, e planifikuar për sonte në orën 20:45 në stadiumin “Alianc” të Torinos, duhet të zhvillohet normalisht. Kjo do të thotë se ndeshja do të jepet 3-0 për Juven, nëse Napoli nuk “përgjigjet”.

Juventusi ka deklaruar se do të dalë në fushë normalisht, por këtë gjë nuk mund ta bëjë Napoli. Kjo sepse klubi i Italisë Jugore pati probleme me koronavirusin, me dy raste pozitive këtë fundjavë, mes të cilëve edhe futbollisti Elmas. E gjithë skuadra hyri në izolim, dhe klubi deklaron se nuk janë kushtet për të luajtur një sfidë kaq të rëndësishme. Napoli u infektua me koronavirus, sipas të gjitha gjasave, në ndeshjen e kaluar fituar 6-0 në stadiumin “San Paolo” ndaj Xhenoas.

Kjo sepse plot 11 lojtarë gjenovezë dhe tre pjesëtarë të stafit teknikë dolën pozitivë me koronavirus pas asaj ndeshjeje. Pritet që në Itali të ketë polemika të ashpra për shkak të kësaj situate, aq më tepër që autoritetet shëndetësore në krahinën e Kampanias kërkuan që Napoli të ishte i izoluar.

Sfidanti.al