Ishte minuta e 28-të dhe jo pak u vendos në atë moment. Mançester Junajtidi mbeti me 10 lojtarë në “Old Traford” në duelin e Premier Ligës ndaj Totenhemit, dhe vendimi i gjyqtarit Entoni Tejlër krijoi polemika të mëdha. Antoni Marsial u përjashtua me karton të kuq për goditje ndaj Erik Lamelës, por futbollisti i Totenhemit i shpëtoi të kuqit edhe pse e kishte goditur më parë francezin me bërryl në fytyrë.
Thënë kjo, asgjë nuk ia ul shkëlqimin fitores 6-1 të djemve të Zhoze Murinjos, me trajnerin portugez që mori një revansh të madh ndaj klubit që e shkarkoi dy vjet më parë. Kjo, edhe pse Bruno Fernandes kaloi vendasit në epërsi që në minutën e dytë, ndërsa reagimi i miqve erdhi shumë shpejt e rezultati shkoi në 2-1 që në minutën e 7-të. Më pas ishte një masakër, dhe Junajtidi barazoi rekordin e golave të pësuar në fushën e vet në historinë e Premier Ligës.
Murinjo duket se po i jep një mentalitet fitues ekipit të tij, dhe Totenhemi nuk u kënaq asnjëherë duke kërkuar që të shënonte gjithnjë e më shumë. Ndombele, koreanojugori Son, Harri Kejn, pastaj sërish Son, Orie dhe së fundmi Kejn me penallti, ishin autorët e golave për Spërsat. Skuadra e trajnerit Solskjer pati një dorëzim të plotë, dhe ndeshja i iku nga duart, diçka e rëndë edhe kur luan për 70 minuta me 10 lojtarë. Pritet që në “Old Traford” të vijnë përforcime, ndryshe Junajtidi rrezikon edhe një vend në katërshen e parë.
Totenhemi ka 7 pikë në 4 ndeshje, me 2 fitore, 1 barazim e 1 humbje, por kjo ishte paraqitja më e mirë e të besuarve të Murinjos, që bën të mendohet se ata do të luftojnë këtë sezon të paktën për t’u kualifikuar për në Champions.
Sfidanti.al