Nuk mund të jetë i kënaqur me këtë rezultat. Interi pretendonte fitoren në fushën e Lacios, por në fund u detyrua të pranonte barazimin dhe trajneri Konte me siguri që e quajti një rast të humbur. Pas dy fitoreve radhazi me 9 gola të shënuar, erdhi ndalesa e parë në Serinë A, që tregoi se megjithë përforcimet e shumta suksesi nuk është i garantuar.
Zikaltërit u dukën sërish jo të pjekur sa duhet, duke mos ruajtur epërsinë e krijuar që në pjesën e parë falë golit të Lautaro Martinezit, dhe as nuk përfituan dot që Lacio mbeti me 10 lojtarë pasi Çiro Imobile u përjashtua që në minutën e 69-të. Në të kundërt, vendasit arritën të barazonin në nisje të pjesës së dytë, kur ende forcat në fushë ishin të barabarta, me autor rrjete Milinkoviç-Saviç. Ishte një pikë për skuadrën e trajnerit Simone Inzagi dhe të portierit Tomas Strakosha, tepër e rëndësishme pas katastrofës 1-4 po në “Olimpiko” ndaj Atalantës.
Përballja ishte e fortë sepse milanezët gjetën përballë një kundërshtar të vendosur për të mos u turpëruar për herë të dytë radhazi. Për atë që dhanë në fushë e për rastet e krijuara, ndoshta barazimi ishet rezultati më i drejtë, dhe Konte do të duhet të punojë sërish me zikaltërit për t’i bërë kandidatë më të natyrshëm për titull, në një sezon kur pretendentët mund të jenë të shumtë si Juventusi, Milani, Napoli, Atalanta, pse jo edhe Lacio me Romën.
Sfidanti.al